Hapësirat publike në zonat kryesore të qytetit të Shkodrës janë liruar nga një aksion i ndërmarrë nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Shkodër. Aksioni i pastrimit të trotuareve nga shitësit ambulant nisi nga teatri “Migjeni” përgjatë bulevardit “Bujar Bishanaku”.
Për momentin shitësit iu bindën urdhërit të bashkisë duke i liruar vetë hapësirat publike. Një pjesë e këtyre shitësve dalin në rrugë për shkak të kushteve ekonomike jo të mira ndaj nga sot e mbrapa nuk e dinë se si do të sigurojnë ato pak të ardhura.
Kryeinspektori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Shkodër Gentian Ibro tregoi hartën e ndërhyrjes për lirimin e hapësirave publike në qytet.
Kryeinspektori Ibro thotë se pjesa më e madhe e shitësve ambulant që kanë zënë hapësirat publike janë njoftuar disa ditë më parë duke gjetur gjuhën e përbashkët për lirimin e trotuareve të zëna.
Një sfidë për IMT-në e bashkisë mbetet që shitësit ambulant të mos dalin sërish në ditët e ardhshme për të zënë trotuaret sapo ky aksion të mbarojë.
Në Shkodër janë mbi një mijë shitës ambulant dhe fermerë që shesin në rrugë dhe trotuare të cilët Bashkia Shkodër ka vendosur që të mos i lejojë më. Edhe më përpara ka patur aksione të tilla për lirimin e hapësirave publike por deri më tani ka qenë e pamundur për të gjetur një zgjidhje përfundimtare pasi janë rikthyer vetëm pas pak ditësh.