Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci: Nis sot Java Evropiane e Lëvizshmërisë e për Bashkinë Shkodër, këto do të jenë ditë të mbushura me veprimtari kryesisht për fëmijë e të rinj, që kulmojnë me Ditën pa Makina. Synimet evropiane në këtë drejtim në Shkodër nuk janë parulla, por plane pune.
-Në Shkodër mbi 90% e familjeve kanë biçikleta, mesatarisht 2.
-Mbi 90% e qytetarëve e mbështesin krijimin e korsive kushtuar përdoruesve të tyre.
-Mbi 2/3 e banorëve ecin dhe lëvizin me biçikleta për të gjitha veprimtaritë e përditshme.
-Mungesa e korsive të dedikuara në të gjithë qytetin dhe parkimi dysh janë problemet kryesore që qytetarët ndeshin në përditshmërinë e përdorimit të biçikletave.
-Jo rastësisht biçikleta është tashmë simbol edhe i logos turistike të qytetit tonë e suveniri zyrtar që Bashkia Shkodër po promovon.
Këto shifra në fakt, dalë nga sondazhi i kryer në kuadër të punës për planin e lëvizshmërisë në Shkodër, janë shtysa më e mirë për të vijuar punën drejt qëllimit parësor që kemi:
Ta bëjmë Shkodrën një qytet të pastër, të gjelbër, me cilësi më të mirë jetese, ku banorët bashkëjetojnë në harmoni me natyrën.