Rreth 2 javë më parë Bashkia e Shkodrës bëri të mundur lirimin e hapësirave publike në pedonalen “Kolë Idromeno” të qytetit. Ka qenë një nismë që u përshendet nga të gjithë shkodranët, ndërsa u bë e mundur falë mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të vetë bisneseve që larguan pajisjet e tyre nga hapësira publike.
Ndërkohë sot, pikërisht në këtë pedonale, është shfaqur një tjetër pamje. Disa pronarë bisnesesh, kanë kërkuar praninë e mediave në atë që mund të konsiderohet një protestë e parë lidhur me ndryshimin e konfirgurimit të pedonales.
Ata kërkojnë të mundësohet shfrytëzimi i hapësirës publike, duke vendosur karrige dhe tavolina, rrjedhimisht edhe çadra. Sipas zyre, investimi në bisneset e tyre, është bërë pikërisht bazuar në shfrytëzimin e hapësirës së pedonales.
Bisnesmenët e pedonales “Kolë Idromeno” bëjnë me dije se kanë kërkuar takim në Bashkinë e Shkodrës për tu informuar lidhur me atë që do të ndodhë me hapësirat publike në pedonalen “Kolë Idromeno” por sipas tyre, nuk kanë një përgjigje.