Pesë turistët nga Tirana që kishin mbetur të bllokuar ditën e djeshme (4 shkurt) në malin e fshatit të Bogës, janë shpëtuar gjatë mesnatës.
Kanë qenë forcat e policisë dhe MZSH- së që kanë ndërhyrë për t’u shkuar në ndihmë. Një prej udhëtarëve, i dientifikuar si Kledison Doci, ka rrëshqitur dhe ka thyer këmbën. Ndërsa gjendja e 4 të tjerëve paraqitet e mirë, pa dëmtime.
I aksidentuari është në Spitalin Rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore. Ndërhyrja për shpëtimin e tyre ishte tepër e vështirë për shkak të pranisë së madhe të akullit.
NJOFTIMI I POLICISË
Pas 12 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte të vështira atmosferike dhe gjeografike, Policia ndihmon një grup alpinistësh të cilët kishin mbetur të bllokuar në një terren malor pasi njëri prej tyre e kishte të pamundur lëvizjen sepse kishte dëmtuar këmbën.
Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, u krye nga Policia Alpine e Forcave Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe me Emergjencat Civile, si dhe një grup vullnetarësh.
Rreth orës 16:50, të datës 04.02.2024, është marrë njoftim se një grup prej 5 alpinistësh shqiptarë kishin mbetur të bllokuar gjatë eksplorimit, në vendin e quajtur “Maja e Çardakut”, Bogë, pasi njëri prej tyre kishte dëmtuar rëndë këmbën.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi dhe pas 12 orësh kërkime gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, është bërë e mundur gjetja dhe shpëtimi i grupit të alpinistëve. 26-vjeçari që kishte dëmtuar këmbën është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shkodrës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.