Pasi është mësuar se Landfilli i Bushatit ka bllokuar depozitimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Shkodër, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ka reaguar menjëherë. Ajo ka qenë pranë territorit të landfillit, ku u bllokuan të hynin brenda 6 mjete të pastrimit të Bashkisë së Shkodrës, ndërsa të tjera po drejtoheshin për aty.
Duke folur për mediat e pranishme, qytetarja e parë e Shkodrës ka thënë se jemi në prag të një katastrofe mjedisore. Ademi ka bërë me dije se për situatën e krijuar, ka vënë në dijeni të gjitha institucionet në nivel rajonal dhe qendror. Po ashtu, kryebashkiakja e Shkodrës ka thënë se për çdo gjë ka një zgjidhje.
Ajo ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve si Prefekti i Qarkut dhe Ministri i Mjedisit, teksa ka hedhur idenë që të ulen në tryezë për gjetjen e zgjidhjes bashkitë që depozitojnë në këtë landfill dhe ata që administrojnë. Me pengimin e depozitimit të mbetjeve të Bashkisë së Shkodrës në Landfillin e Bushatit, rrezikohet që paralizohet shërbimi i pastrimit në qytet dhe njësitë administrative sepse nuk kanë ku evadohen mbetjet.