Bombulat e kampingut, vazhdojnë të jenë problematike. Mungesa e kolaudimit të tyre dhe përdorimi në ambjente të brendshme shtëpiake, shkakton zjarre që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Pas Velipojës ku u dëmtuan rëndë 4 pjestarë të një familje, një grua nga Kopliku ka marrë dëmtiume të rënda në trup.
Rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm, zjarri ka rënë në katin e parë të një banese në Koplik, duke shkrumbuar gjithçka. Ka qenë ndërhyrja e një komshiu që ka sjellë shpëtimin e jetës së Sadete Kukaj, e cila përmes një shkalle është bërë e mundur të ulet nga kati i dytë i banesës.
Bashkë me zonjën, ka qenë edhe një djalë, i cili fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime sipas Ymer Senaj. Ndërkohë, shefi i MZSH Malësi e Madhe, Besnik Hasa, tregon dinamikën e ngjarjes, duke evidentuar rrezikshmërinë e përdorimit në banesë të bombulave të kampingut.
Ndërkohë, shtetësja Sadete Kukaj, duke parë gjendjen e rëndë shendetësore, është dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe po shihet mundësia e dërgimit të saj në Spitalin e Traumës në Tiranë për një mjekim më të specializuar. /ShkodraWeb/