Bizneset turistike në Velipojë kanë shfaqur shqetësimin se prej 8 vitesh janë duke u përballur me padrejtësi nga shteti. Qeveria, thonë ata, në nisje të sezonit turistik u ka prishur biznesin të ngritur me punë të ndershme dhe me dokumentacion të rregullt. Infrastruktura dhe investimet mungojnë në Velipojë, e cila rrjedhimisht ndikon tek ulja e numrit të turistëve.
Gjatë bashkëbisedimit me kandidatin për deputet të qarkut të Shkodrës, Bardh Spahia, përfaqësuesit e biznesit theksuan se “Qeveria e Partisë Demokratike me “Rrugën e Kombit” duke e kthyer Velipojën në destinacion turistik e duke bashkuar shqiptarët, ndryshe nga kjo qeveri e cila në 8 vite e ka kthyer Velipojën në një vend të degraduar”
“Kjo është situatë e trishtë për biznesin në Velipojë, ku vetëm një vit më parë u godit nga dora e shtetit, ku në nisje të sezonit turistik nuk u mbështet me investim, por i solli fadromat e ndërtimorëve duke shkatërruar biznesin në Velipojë” thotë një prej përfaqësuesve të biznesit.
“Velipoja po kthehet në plazhin e të moshuarve sepse askush nuk i jep të drejtë të zhvillojnë biznesin e tyre, të ofrojnë mundësi për rininë dhe thithjen e turistëve të huaj” tha një tjetër përfaqësues.
Bardh Spahia deklaroi se Velipoja është në prioritetet e qeverisë së Partisë Demokratike, si një atraksion turistik por edhe burim i pashtershëm për zhvillimin ekonomik të të gjithë Qarkut të Shkodrës nëpërmet mbështetjes së turizmit.
“Braktisja e Velipojës do të marrë fund me 25 Prill, ndërkohë që është koha që biznesi të marrë frymë lirisht. Me progamin e Partisë Demokratike, zhvillimi ekonomik është prioriteti kryesor, sepse nuk mund të pasurohen vetëm një grusht i vogël njerëzisht në kurriz të dhjetëra bizneseve të cilat sot rrezikojnë falimentimin” tha Bardh Spahia në bashkëbisedim me operatorët turistikë, të zonës me atraksionin më të bukur dhe me vlerat e larta kurative të bregdetit të Adriatikut, Velipoja.