I filluar si një projekt kërkimor, Çmimi “Idromeno” vjen me perpjekjen për të lidhur dy kufij që shpalosen së bashku, duke gjurmuar rrugëtimin e 7 artistëve dhe praktikat e tyre dhe duke i ftuar ato në dialog te hapur. Konkursi do përfshijë një gamë të gjërë mediumesh si video, fotografi, pikturë dhe instalacion. Punimet e zgjedhura synojnë të veprojnë si një sipërfaqe e kontekstit vizual dhe jo vetëm: Por si estetikë me rrefime që rikujtojnë duke rimarrë histori dhe duke i shkrirë ato me imagjinatën.
Ekspozita gjithashtu synon të zgjerojë dhe të dendësoje motivet e ndërlidhura dhe konceptit të ndryshimit ku elementët bazë janë, historia, kujtesa, identiteti, globalizmi, prejardhja, shpirtërorja, disapora, konsumizmi, miti. Çmimi “Idromeno” është një konkurs kombëtar i arteve pamore për artistet e rinj që realizohet çdo dy vjet nga Galeria e Arteve e Shkodrës me mbështetjen e Bashkisë Shkodër.
Kjo ngjarje artistike nisi rrugëtimin në vitin 2008 nga artisti dhe profesori i historise së artit në Universitetin e Arteve Tiranë Zef Paci me mbështetjen e Z. Artan Draçini, drejtori i Galerisë së Arteve Shkodër në vitet 2006- 2018, të cilët do përkujdeseshin që kjo hapësirë e artit bashkëkohor të mbështeste artistet e rinj të skenes shqiptare. Personalitete të spikatura të kritikes së artit ishin pjesë e një jurie profesionale përgjatë këtyre viteve si Gëzim Qendro, Edi Hila, Adrian Paci, Ikbale Kalaja, Valentina Kocai, etj.
Ky konkurs përvijohet si orvajtje që reflekton mbi idetë e peisazhit kulturor dhe deshirën për bashkëkohoren në një vend që mund të ketë shërbyer si frymëzues por jo si një prodhues i saj. Në ndryshim nga disa aktivitete të tjera të organizuara për qëllime marketing. Çmimi “Idromeno” ndërtohet vetëm mbi punën e realizuar në mënyrë të pavarur nga artistët e rinj. Aktiviteti synon të afrojë institucionet publike me artistët e rinj, qasjet e tyre artistike të cilat kanë prirje për të analizuar një aktualitet dinamik socio- politik shqiptar. Kuratore/ artiste vizuale e eventit është Beskida Kraja.