28 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha, shqiptarët vazhdojnë të enden midis nevojës për të krijuar një lidership të besuar e më pas, të zhgënjyer, kërkojnë largimin e tij. Rrëzimi i bustit të diktatorit nis nga greva e urisë e ndërmarrë nga qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij.
Astrit Hatellari: “Kam qenë tek studentet tre ditë rresht, biles kisha marrë edhe ushqime me vete”.
Banorët e kryeqytetit dhe mijëra që u bashkuan prej qendrave kryesore të Shqipërisë në grevën e studentëve, nuk as nuk e kishin idenë se çfarë mund të ndodhte realisht
Astrit Hatellari: Të gjithë u turrëm. Pati një shkëmbim force me policinë dhe me ujë. Hymë në kryeministri e Bllok.
Turma afrohej drejt sheshit të “Skënderbej”, në drejtim të veprimeve ende të panjohura, por me dëshirën dhe ëndrrën e brendshme se kishte ardhur fundi
Astrit Hatellari: Isha në vijën e parë me shumë të tjerë. Ndërmarrjet e Tiranës ishin të gjithë me studentët. Dikush duhet të paguaj që të fitojnë të tjerët.
Frika dhe pasiguria për jetën ishin aty, duke mbërthyer ëdo njeri që shkelte mbi pllakat e sheshit e përreth tij, por me sa duket, askush nuk kishte më asgjë për të humbur..
Astrit Hatellari: Tek bashkia ka pas mitraloz, tek Pallati i Kulturës ka pasur prapë. Tek Banka ka pasur snajpera. Nuk na bënin përshtypje. Nuk i shihnim për herë të parë këto gjëra”.
Revolta nuk pati nevojë për burra të fortë, as për udhëheqës, por veç për kurajën qytetare, mbështetjen dhe solidaritetin ndaj një të përbashkëte: luftën kundër një pushteti dhunues e shtypës.
Astrit Hatellari: Ka pasur më tepër femra në shesh se sa meshkuj. Shumë meshkuj që sot hiqen si burra nuk kanë qenë as gra”.
Por si ndikoi në psikologjinë e protestuesve të asaj kohe, mbështetja e uniformave blu?
Astrit Hatellari: Policia ka qenë agresive. Dikush erdhi me pistoletë për të vrarë. Njerëzit nuk e lanë. Më ra rasti mua për të qenë sipër bustit.
Rrëzimi i bustit shënoi e rënien e sistemit komunist në Shqipëri. Për rrjedhojë shkëputjen nga e shkuara dhe fillimin e një “epoke” të re për Shqipërinë, atë të demokracisë, ku ende sot pas 28 vjetësh, shqiptarët vazhdojnë të duan të ikin, vazhdojnë të tradhtohen në besimin që u japin qeverive.
Astrit Hatellari: Ata që ishin në pushtet donin të vrisnin gjithë popullin por e kuptuan se do vriteshin vet. E kuptuam në mbrapa. Po e shkatërrojnë këtë popull. Asnjëri nuk ka marrë pjesë në hedhjen e këtij momenti në hije. Për një karrige po hahen çakejtë me njëri-tjetrin dhe populli laraman po i vjen mbrapa. /tempora/