Dimri duket se ka “trokutur” zyrtarisht në rajonin e Shkodrës. Kanë nisur reshjet e para të borës, në atë që mund të quhet “porta” e Alpeve Shqiptare”, në Qafë Thore. Ka qenë kryebashkiaku Benet Beci ai që ka publikuar në video, të shoqëruar edhe me teksin:
“Bora e parë për këtë sezon në Qafë Thore. Mjetet borëpastruese janë në terren dhe aksi rrugor është i kalueshëm për banorët e zonës.”, shkruan qytetari i parë i Shkodrës.
Në të njëjtën linjë, ka bërë një publik edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili jep më shumë detaje lidhur me reshjet e para të borës në Qafë Thore.
“Dëbora e parë për këtë vit filloi në Qafë Thore duke na ftuar në sezonin dimëror. Grupet e punës me mjetet borëpastruese janë në terren për ta mbajtur hapur dhe lehtësisht të kalueshëm këtë aks për banorët e zonës por dhe për turistët alpinë që zgjedhin të vizitojnë këtë zonë turistike. Rruga është e hapur dhe qarkullimi kryhet pa probleme”, shkruhet në publikimin e ARRSH- së.