Bashkia Malësi e Madhe ka zgjedhur pikën turistike të Razmës për të hapur zyrtarisht sezonin turistik në territorin e saj. Nën titullin “Dita e Turizmit Malor”, janë organizuar një sërë eventesh, të cilat kanë kulmuar me një koncert festiv.
Aktivitetin e ka përshendetur kryebashkiaku Tonin Marina, prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni dhe ministrja për Mbështetjen e Sipërmarrjes, njëkohësisht deputete e Shkodrës Edona Bilali.
Ashtu si në bashkitë e tjera si Puka, Vau- Dejësi, edhe në Malësi të Madhe kanë qenë të pranishme të gjitha autoritetet por edhe deputetë të mazhorancës që qeveris vendin nga 2013- a. Ndërsa sot, në Velipojë, në hapjen zyrtare të sezonit nga Bashkia Shkodër, nuk kishte autoritete vendore dhe as deputetë të qarkut Shkodër.
“Dita e Turzmit Malor” në Malësi të Madhe, shpalosi vlerat e kësaj treve, duke nisur nga produktet lokale, kulinaria, këngët, humori por mbi të gjitha, mikpritja e veçantë dhe tradicionale.