Ka marrë fund arratia e 49-vjeçarit Besnik Pjetri i cili në muajin gusht të këtij viti ekzekutoi me armë zjarr në fshatin Grykë Zezë të Lezhës, ish-vjehrrin dhe ish-kunatin e tij. I shumëkërkuari u vu në pranga mëngjesin e kësaj të premte nga forcat RENEA, pas punës gjurmuese-policore të strukturave hetimore dhe operacionale të Policisë së Lezhës.
Operacioni “Fundi i arratisë” u zhvillua në një terren me kushte tejet të vështira gjeografike dhe atmosferike.
Si rezultat i këtij operacioni, falë kërkimeve të pandërprera dhe ndjekjes intensive, duke përdorur forma dhe teknika speciale hetimi, u bë i mundur lokalizimi në një banesë të braktisur, në fshatin Kaçinar, Mirditë, si dhe kapja e vënia në pranga e shtetasit Besnik Pjetri 49 vjeç, banues në Troshan, Lezhë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 49-vjeçarit, në mungesë, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga veprimet hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, rezulton se 49-vjeçari, më datë 29.08.2022, për shkak të një konflikti me familjarët e ish-bashkëshortes së tij, ka vrarë me armë zjarri shtetasit Pjerin dhe Gent Perjaku (babai dhe vëllai i ish-bashkëshortes së tij), përkatësisht 56 dhe 32-vjeç.
Ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash sapo kishin hyrë në oborrin e banesës së tyre nëe fshatin Grykë Zezë dhe nga plagët e marra gjetën vdekjen e menjëhershme. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes identifikoi autorin, por pa arritur që ta prangosë dhe prej më shumë se 3 mujash ai qëndronte në arrati.Babë e bir ishin kthyer diten e ngjarjes nga Italia ku jetonin prej shumë vitesh, pasi kishin patur një dasëm në vendlindje tek disa të afërm të tyre.
Siç duket ish- dhëndri i ka ndjekur lëvizjet e objektivave të tyre dhe sapo janë kthyer në banese është afruar dhe ka qëlluar me breshëri plumbash. Pjetri, i cili ishte babai i dy vajzave ishte divorcuar, prej më shumë se 6 vitesh nga gruaja e tij dhe që prej asaj kohe kishte patur konflikte të vazhdueshme më ish-gruan dhe familjen e saj, madje për këtë çështje ishte arrestuar dhe nga policia në Itali dhe kishte qëndruar për rreth 2 vite në burg. 49-vjeçari pretendonte se familja e ish-nuses së tij i kishte borxhe dhe nuk ja kishin kthyer, ndërsa së fundmi nuk e kishin lejuar të takonte as vajzat çka dyshohet të jetë bërë shkak dhe për krimin e rëndë.