Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci: Sot Bashkia e Shkodrës ka mbuluar fasadat e rrënuara pranë Trumës në mënyrë simbolike me tematikën e “Estradës në penxhere” në pritje të rikonstruksionit të ndërtesave ekzistuese.
“Estrada në penxhere” është një nga shfaqjet e para me humor e këngë në Shkodër, përpara se ajo të institucionalizohej në vitin 1958. Bashkia Shkodër ka ndërhyrë sot duke vendosur një vepër artistike me të njëjtin emër, një baner i krijuar me foto të arkivës, me rastin e 65 vjetorit të Estradës së Shkodrës.
Videoja e realizuar pak çaste më parë, ka sfond muzikor kompozimin “Qyteti im” nga Pjetër Gaci, kënduar nga Florinda Gjergji, nën drejtimin muzikor e tingujt e fizarmonikës së Luan Barovës, një regjistrim i vitit 1980. Faleminderit të gjithëve!