Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Bujar Spahiu ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit. Spahiu shprehet se maratona shpirtërore dhe fizike e këtij muaji agjërimi mbërriti në fund ndërsa shton se Bajrami është festa e përmbylljes me sukses të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore.
“Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë e Tij mbi ne dhe që na përudhi të agjërojmë”, thuhet në urimin e tij.
Urimi i Kryetarit të KMSH Bujar Spahiu
Të dashur motra dhe vëllezër!
Maratona jonë shpirtërore dhe fizike e këtij muaji, agjërimi, mbërriti në fund.
Për një muaj kemi ndarë me njëri-tjetrin sofrat në iftar e në syfyr, jemi lutur për vetet tona, por edhe për njëri-tjetrin.
Zoti i gjithësisë na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellim sot.
Nesër kemi festë, kemi Fitër Bajram!
Bajrami nuk është festa e heqjes së kufizimit për të ngrënë e për të pirë.
Bajrami është festë e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore.
Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë e Tij mbi ne dhe që na përudhi të agjërojmë.
I Lartmadhëruari ka thënë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare).
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.”
E lusim Zotin të na ketë falur të gjitha mëkatet, ashtu siç Ai na ka premtuar.
E lusim Zotin t’u ketë pranuar nijetin të gjithë atyre që nuk mundën të agjërojnë këtë muaj për shkaqe shëndëtesore.
E lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë.
Të furnizojë popullin tonë dhe gjithë botën mbarë në këto kohëra vështirësish të mëdha.
E lusim Zotin për paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave.
Ju uroj përzemërsisht, agjëruesve në veçanti dhe mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Gëzuar Fitër Bajramin!