Zyrtarët e lartë shtetërorë dhe njerëzit me përgjegjësi publike kanë njohuri të pakta për historinë dhe kulturën shqiptare. Rasti i fundit skandaloz është me Bekim Maksutin, i cili është zëvendësministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Maqedonisë, Në emisionin ‘Shkurt e shqip’ të transmetuar në TV Koha në Tetovë, ai është pyetur se kush e ka shkruar Mesharin e Gjon Buzukut, një pyetje që në fakt kishte edhe përgjigjen brenda. “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar Marin Barleti” është përgjigjja e zëvendësministrit shqiptar. Përveç këtij gabimi skandaloz, Maksuti i jep vetës lirinë që t’i qortojë të rinjtë shqiptarë që nuk e dinë se kush e ka shkruar këtë vepër. Ai vazhdon edhe me të tjera perla, ku duke komentuar origjinën e njeriut dhe paraardhësit e përbashkët me majmunët, thotë se ‘nuk i besoj këtij koncepti, por atij religjioz që njeriu është ndërtuar me vullnetin dhe dëshirën e zotit’.