Trajneri i ri i Vllaznisë, Goce Sedloski ka debutuar me fitore në pankinën e shkodranëve, teksa skuadra u rikthye te triumfi në kampionat pasi mundi në shtëpi 3-1 Erzenin.
Një eurogol i Herald Markut me një goditje nga distanca dërgon në festë stadiumin në minutën e 42-të. Vendasit e nisin në mënyrë perfekte pjesën e dytë, pasi Latifi dyfishoi shifrat.
Mysafirët do riktheheshin në lojë në minutën e 76-të me të zakonshmin Nonato, gol shprese për djemtë e Xhevahir Kapllanit. Në të 87-tën, shpresat e Erzenit u shuan plotësisht, pasi Jonuzi realizoi golin e 3-të. Vllaznia renditet në vendin e katërt (41 pikë), ndërsa shijakasit një vend më poshtë (37 pikë).