Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë vizitës në Malësinë e Madhe ka folur për video- skandalin e Berhan Bajrakurtit. Lleshi iu përgjigj interesit të gazetave, duke thënë se policët janë fytyra e të gjithë shoqërisë, ndërkohë që tha se për rastin në fjalë nuk ka denoncues.
“Policia e Shtetit po kërkon që mbrëmë, gjithë organet e Policisë dhe të shtetit po kërkojnë denoncuesin, i cili nuk gjendet. Kjo është pyetja kryesore që duhet të keni ju dhe ne bashkë. Sot pyetja themelore që kemi të gjithë ne është – kush është denoncuesi!”, tha Lleshaj.
Ndërkohë ministri nuk është tërhequr nga thënia e tij se policia është fytyra e tij dhe e shoqërisë.
Pyetje: Z.Ministër, keni thënë që fytyra e policëve do jetë fytyra juaj. Kështu ju kemi dëgjuar?
Ministri Lleshaj: Fytyra e policëve është fytyra ime dhe e juaja, e gjithë shoqërisë sonë. Policët na përfaqësojnë ne të gjithëve.
Pyetje: Ju përfaqëson ai polic?
Ministri Lleshaj: Cili polic?
Pyetje: Polici për të cilin ka një videoskandal…
Ministri Lleshaj: Ai është i arrestuar nga Policia e Shtetit, që mbrëmë.
Pyetje: Është thënë që i janë drejtuar komisariatit të Shkodrës dhe atij të Malësisë së Madhe dhe nuk i është pranuar denoncimi i familjes?
Ministri Lleshaj: Kjo nuk është e vërtetë, Policia e Shtetit po kërkon që mbrëmë, gjithë organet e Policisë dhe të shtetit po kërkojnë denoncuesin, i cili nuk gjendet. Kjo është pyetja kryesore që duhet të keni ju dhe ne bashkë. Sot pyetja themelore që kemi të gjithë ne është – kush është denoncuesi!
Pyetje: Pse mbahet i arrestuar atëherë nëse nuk ka një denoncues?
Ministri Lleshaj: Sepse duhet të parandalojmë çdo mundësi intimidimi të një denoncuesi potencial. Fakti që nuk kemi një denoncues është pyetja më e madhe të cilën ne do ta sqarojmë shumë shpejt.