Mirëmbrëma të gjithëve!
Dikush mund të thotë, sot e gjete të na flasësh për “Vllazninë”?! Sot që humbi dhe me “Teutën”, pasi ka humbur me “Tironën”?! Pas paraqitjeve të fundit që lenë për të dëshiruar?! Po sot e gjeta, sepse “Vllaznia” nuk është vetëm “Vllaznia” e 2021.
Historia e “Vllaznisë” fillon 102 vjet më parë, që në 1919. Historia e saj nuk është vetëm një histori vlerash dhe suksesi, por mbi të gjitha një histori vullneti, djerse, sakrifice, mjeshtrie, dashnie, vllazërie dhe e një binomi të pandashëm që do të zgjasë aq sa të ekzistojë Shkodra dhe “Vllaznia”.
“Vllaznia” është e shkodranëve dhe jo vetëm. Është e yjeve të futbollit shqiptar, atyre që nuk janë më, atyre që janë me ne dhe pleqërojnë krenarë për atë që i dhuruan futbollit, është e idhujve të vogëlisë time, është e moshatarëve të mi që shtuan trofetë, është e djemve që dalin sot nën fanelën kuq e blu dhe atyre që mezi presin ta mbajnë mbi supe…
Shkurt “Vllaznia” është Histori që as nuk shitet e as nuk blihet, as nuk përlyhet e as nuk tjetërsohet sepse “Vllaznia asht dashni pa kushte”.
E duke qënë se historia 102 vjeçare nuk mund të përfaqësohet në vetëm 3 minuta, ne u munduam, pavarësisht se arkivat dhe koha në dispozicion nuk ishin në favorin tonë. Mund të gjendej një moment më i “volitshëm”, pas një fitoreje, por jo, sepse këta djem sot kanë nevojë për besim e mbështetje. Janë po ata që na bënë të ëndërrojmë pas kaq vitesh. Janë po ata që po udhëheqin prej javësh dhe talenti, fuqitë e dëshira nuk i kanë lënë akoma. Unë do i mbështes gjithmonë, siç kam bërë deri më sot. Duhet ta bëni edhe ju sepse është “Vllaznia”, djepi jonë i futbollit.
E meqe historia fillon në 1919 dhe do vazhdojë edhe pas 2021, dashtë Zoti, unë u frymëzova për këngën “Vllazni” që do prezantohet nesër me klip në ora 19:30.
Deri atëherë mbështetje, guxim e optimizëm! Para Vllazniaaaaaa!!! /Nga Sidrit BEJLERI/