Prej rreth 20 vitesh, qarkullon ideja e Korridorit Adriatik- Alpe, e cila synon ndërtimin e një rruge, më vonë edhe të një hekurudhe, e cila bashkon shumë qytete, rajone e shtete në Ballkan. Sot, kjo ide, thuajse e detajuar, është risjellë në vëmendje në një takim të bashkëorganizuar nga Bashkia e Shkodrës dhe “Gazeta e Alpeve”.
Autoritete nga vendet e Ballkanit ku mendohet se projekti do të ketë ndikim direkt, personalitete e diplomatë, bisnesmenë të njohur dhe me ndikim ekonomik ndërkombëtar, diskutuan sot lidhur me Korridorin Adriatik- Alpe, i cili ka ardhur koha të mos mbetet thjeshtë ide por të vendoset në agjendat e realizimit nga shtetet ku ai do të ketë ndikim në zhvillimin e bashkëpunimin e tyre.
Në këtë takim, u evidentuan edhe përfitimet që do të jenë nga ky projekt, ndërsa është prezantuar edhe peticioni me firmat e mbledhura nga të gjitha vendet për realizimin e tij, Janë më shumë se 10900 persona që kanë firmosur për të nisur punën për këtë projekt, i cili shkurton ndjeshëm distancat në mes qyteteve e shteteve.
Vlera monetare e projektit, e përllogaritur para disa viteve për hir të realitetit, është rreth 230 milion euro. Nëse sot, kjo vlerë është rritur, sërish është një investim që duhet të merret në konsideratë. Tashmë koha e diskutimeve ka mbaruar, është momenti të fillojë puna për Korridorin Adriatik- Alpe. Nëse Rruga e Kombit ka vlera të padiskutueshme, edhe ky korridor do të sjellë përfitime shumë më të mëdha dhe në nivel ballkanik. /ShkodraWeb/