Këtë të shtunë, mjete dhe punonjës të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kanë ndërmarrë një aksion në Velipojë për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Nuk ka informacion zyrtar për këtë aksion por mësohet se në fokus kanë qenë strukturat portative, kryesisht përgjatë brezit të rërës, si beach- bar apo pista me dërrasa.
Ndërsa nuk ka patur kundërshtime nga pronarët e strukturave, mediat janë mbajtur në distancë nga aksioni dhe nuk janë njoftuar. Janë rreth 11 struktura që do të hiqen nga territori.
Pyetja më logjike është: A duhet të zhvillohet tani, në prag të nisjes së sezonit turistik një aksion i tillë nga IKMT? Vitet e kaluara pronarët e hoteleve apo vilave që lëshohen me qira, janë shprehur të shqetësuar nga aksione të tilla. Ata flasin për anulim prenotimesh, sidomos nga shqiptarët e Kosovës, kur shohin pamje të tilla në media apo rrjete sociale. Imagjinoni sivjet, kur Kosovës i janë liberalizuar edhe vizat, duke patur mundësi të pushojnë kudo.
Nuk duhet harruar se shqiptarët e Kosovës janë pjesa më e rëndësishme e prenotuesve të Velipojës. Vitin që shkoi, fluksi i turistëve deri me 15 korrik, ka qenë mjaft i ulët. Shpresohet që pas këtyre aksioneve, të mos përsëritet e njëjta situatë. /ShkodraWeb/