Edhe pse ditë me shi, IKMT- Inspektoriati i Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit, është rikthyer në zonën turistike të Shirokës, aty ku rreth një javë më parë, nisi shembjet e objekteve pa leje, raporton ShkodraWeb.
Ditën e sotme, puna ka nisur në bregun e Liqenit të Shkodrës, aty ku prej vitesh, janë ngritur një seri lokalesh, kryesisht restorante, një pjesë të cilave janë zgjeruar edhe me pista në shtratin e liqenit.
Ndryshe nga aksioni i një jave më parë. sot punonjësit e IMKT- së, të mbështetur edhe nga punonjës të Policisë së Shtetit, kanë ndeshur në kundërshtimin e pronarëve të lokaleve, përcjell ShkodraWeb.
Pronarët e lokaleve pretendojnë se kanë vendim gjykate dhe kundërshtojnë shembjen e lokaleve të tyre apo pistave të ndryshme. Sipas tyre, shembja është e paligjshme dhe kërkojnë një urdhër, teksa njoftimi për nëdrhyrjen e IKMT- së u ka shkuar në orën 15.00 të një dite më parë, pra shumë vonë.
Prej shumë vitesh, Bashkia Shkodër kishte paralajmëruar shembjen e lokaleve në bregun e Liqenit të Shkodrës, duke njoftuar rikthimin në gjendjen e mëparshme.
Për këtë arsye, shumë pronarë lokalesh, nisën ndërtimin e objekteve të tjera, në krahun e kundër të bregut, në pjesë malore të rrugës së Shirokës. Mesa duket, ka ardhur momenti që projekti i Bashkisë Shkodër, të realizohet. /ShkodraWeb/