Kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia zhvilloi një takim me të rinjtë dhe të rejat e qytetit, ku në fokus ishte diskutimi i problematikave me të cilat ato përballen dhe gjetjen e rrugëve të zgjidhjes. Ajo që mbetet shqetësimi kryesor është largimi i rinisë, plagë për të cilën Spahia theksoi se duhet punë dhe koordinim i të gjitha institucioneve shtetërore për ta frenuar këtë hemoragji.
Spahia u ndal tek modeli që ai ka ndjekur prej marrjes së detyrës, atë të kthimit të bashkisë në një institucion të hapur, e ku zëri i qytetarëve të dëgjohet.
Më pas ishin të rinjtë ata që parashtruan problematikat kryesore me të cilat hasen. Kryebashkiaku Spahia u ndal tek investimet që ka realizuar bashkia që ai drejton, ndërsa theksoi vështirësitë e krijuara pasi mbështetja qeveritare ka munguar. Shkodra sipas Spahisë është trajtuar më keq edhe se bashkitë disa herë më të vogla se ajo.
Në mbyllje të fjalës së tij kryebashkiaku Spahia foli për finalizimin e planit strategjik rinor dhe krijimin e këshillit rinor vendor, që do të jenë zëri i rinisë për zgjidhjen e problematikave dhe thithjen e ideve të tyre. Duke ju kërkuar të vijojnë të kontribuojnë në vendlindje, Spahia i ftoi të rinjtë të mos ndalen së kërkuari më të mirën për Shkodrën, duke luftuar përballë cdo padrejtësie që asaj i bëhet.