Prej rreth 1 jave, kanë nisur punimet në rrugën Zogaj- Shirokë, në atë që mund të konsiderohet segmenti i parë, nga Skje në Malin e Zi, deri në Zogaj. Është një projekt që pritet ti japë impuls sidomos turizmit në bregun e liqenit të Shkodrës por njëkohësisht, duke nxitur komunikimin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve kufitare Mali i Zi dhe Shqipëria.
Ditën e sotme, punimet që tashmë kanë nisur, janë inspektuar nga kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci, i cili ka ka publikuar edhe një video në rrjetet e tij sociale. Beci e nënvizon se është “investim i vonuar, por i shumëpritur për Shkodrën”.
“Sot në kantierin e hapur të punës në rrugën Shirokë-Zogaj. Një investim i vonuar, por i shumëpritur për Shkodrën si qendër rajonale, por edhe si urë lidhëse me pikën kufitare nga Zogaj në Krajë në Malin e Zi.”, shkruan Beci.
Projekti në total kap një vlerë 5.6 milion euro dhe parashikon një rrugë me dy korsi për makinat, një rrugë për biçikletat dhe troture për këmbësorët.