Babai i Ibrahim Licit, i akuzuar për vrasjen e Endri Mustafës, është shprehur se ditën e krimit djali i tij ndodhej në Tiranë. Mustafa Lici, para SPAK, deklaroi se ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme pamjet filmike dhe qelizat telefonike se 31-vjeçari ndodhej në kryeqytet. Ai u shpreh se pamjet filmike i ka bërë disa kopje pasi nuk ka besim.
“Dosjen e ka bërë gati Ardit Hasanbegaj dhe Niko Brahimaj. Pasi bëri dosjen e djalit tim Niko Brahimi u bë drejtor i Policisë Kriminale. Kam dorëzuar pamjet filmike dhe qelizat telefonike që djali im ndodhej në Tiranë. Pamjet i kam bërë në shumë kopje se nuk kam besim”, tha Mustafa Lici.
Sipas policisë, 31-vjeçari është arrestuar në Turqi më 15 shkurt u arrestua në kuadër të operacionit “Jehona”, që u zhvillua nga autoritetet turke, ndërkohë pritet ekstradimi i tij drejt vendit tonë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin Endrit Mustafa.