Një talent i ri premtues po i vjen Shkodrës në pikturë. Emri i saj është Isra Shpuza dhe është vetëm 12- vjeçe. Talenti i saj është i dukshëm, sidomos në grafikat apo pikturat bardhezi.
Sot piktorja Isra Shpuza ka hapur ekspozitën e parë personale në mjediset e bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër. Nga ajo që thotë vetë Isra, talenti dhe pasioni për pikturën bashkëjeton prej kohësh me të. Veç kësaj, ajo ka këmbëngulur të evidentimin, ushtrimin dhe përmirësimin e kësaj aftëesie të rrallë.
Vlerësimet për Isrën e vogël, vijnë edhe nga specialistë të fushës, të cilët e kanë ndjekur në vijmësi atë. Të paktën për vitin e fundit, aq sa u desh për përgatitjen e ekspozitës së sotme, është Nereida Curri, edhe kuratore e saj, e cila vlerëson talentin e 12- vjeçares.
Isra Shpuza është një nga piktoret më të reja dhe më premtuese në qytetin e Shkodrës. Është në hapat e parë dhe ka nevojë për mbështetje. E para është familja e saj, e cila i mundësoi edhe çeljen e kësaj ekspozite. Por tashmë, Isra, si një profesioniste e vogël e arteve figurative, po përgatitet edhe për hapjen e ekspozitave të tjera ndërsa nuk lë pas dore as angazhimin e saj në shkollë.