Italia e nis me këmbën e mbarë Europianin e futbollit. Skuadra e drejtuar nga Mançini ka mundur me mjaft lehtësi Turqinë në ndeshjen e parë hapëse të turneut të rëndësishëm, i cili luhet një vit me vonesë për shkak të pandemisë. Italia ka dominuar totalisht ndeshjen por 45 minutat e para janë mbyllur me rrjeta të paprekura.
Për të parë shkundjen e parë të rrjetës në këtë Europian, duhej pritur minuta e 53- të. Të kaltrit e Mançinit kalojnë në avantazh, pas autogolit të shkaktuar nga Demiral, që shtyn drejt rrjetës në top të harkuar nga Berardi në të djathtën. Nisi kështu me një autogol edhe aventura europiane e futbollit.
Në minutën e 65- të vjen edhe goli i dytë për italianët. Realizon Çiro Imobile, i cili me një mbrojtje të saktë brenda zonës, ka dyfishuar shifrat, duke gjetur golin e sigurisë. Në festë 8 mijë italianët fatlumë që u lejuan të ndjekin ndeshjen e kombëtares së tyre në stadiumin “Olimpico” të Romës.
Ka kohë për një tjetër gol, në minutën e 79- të. Shënon edhe Lorenco Insinje me një goditje të zgjuar e të kalibruar pas një topi të gabuar të portierit turk. Festë spektakolare në “Olimpico”. Dominim i frikshëm i italianëve. Pas kombinimeve fantastike mes Barrelës dhe Imobiles, topi ka shkuar te sulmuesi i Napolit, i cili me të brendshmen e dërgon topin në cepin e portës.