Trajneri i Vllaznisë, Qatim Osmani, foli pas barazimi 1-1 që skuadra shkodrane regjistroi në shtëpi ndaj Erzenit. Në prononcimin e dhënë për mikrofonin e “MCN”, tekniku i kuqebluve, ndër të tjera u shpreh:
“Pjesa e parë ishte e mirë, luajtëm mirë, qarkullimi i topit ishte në nivel. E morëm golin nga një pakujdesi e mbrojtjes. Në pjesën e dytë, në sulm nuk kishim organizim, duke harruar lojën mbrojtëse, na krijoheshin hapësira të mëdha mes mbrojtjes dhe mesfushës. Erzeni na rrezikoi disa herë për shkak të këtij gabimi.
Shpeshherë gabonim nga shpejtimi, si në pasime edhe në driblime në mesin e fushës. Skuadra nuk ishte e freskët, veçanërisht në pjesën e dytë, kjo gjë nuk u shfaq. Unë gjatë këtyre 10 ditëve që kemi punuar me ekipin, jemi munduar për të qenë sa më të freskët ndaj Erzenit. Nuk u arrit dhe rezultati është ky që është, barazimi.
Nuk është nënvlerësuar kundërshtari, jemi profesionistë, të gjitha ekipet janë në Superiore, nuk ka vend për nënvlerësim, pavarësisht renditjes. Dëshira e madhe për ta fituar ndeshjen bëri që të gabonim. Donim të shkëputeshim pak nga vendi i katërt dhe të pesë. Kjo mendoj se është më e arsyeshme për t’u thënë”, u shpreh Osmani.