Partia Demokratike të enjten ka denoncuar emërimin e kandidatit për deputet të PSD-së, Serdar Hoxha si kryeinspektor për Veriun në Inspektoriatin e Ndërtimit me argumentin se u zyrtarizua masakra zgjedhore Rama-Doshi.
Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj tha se ushtari i Tom Doshit ka akoma në Prokurori një dosje të paverifikuar për të shkuarën e tij kriminale, por kjo nuk e ka penguar qeverinë ta emërojë atë në një detyrë të rëndësishme.
“Me emërimin e sotëm, Edi Rama ka konfirmuar zyrtarisht koalicionin me personin që SHBA e shpallën non grata për shkak të së kaluarës së tij kriminale, dhunimin e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen në korrupsion”, tha ai.
Ish-deputeti i PD-së theksoi se mediat mund t’i kujtojnë shqiptarëve deklaratën e Edi Ramës para zgjedhjeve se nuk do të qeveriste me Tom Doshin, por sipas tij, sot të gjithë e kanë të qartë se kjo ishte pjesë e lojës së pistë të Edi Ramës për të mashtruar publikun dhe partnerët.
Alibeaj mendon se aleanca e tyre nuk është ndalur asnjëherë, pasi Tom Doshi ka përfituar miliona euro nga qeveria e Edi Ramës, për t’i përdorur ato për blerjen e votave në masakrën e zgjedhjeve të 25 Prillit.
“Tre mandatet e blera janë mandate në shërbim të Edi Ramës, janë garanci për të vazhduar ndarjen e pushtetit të vjedhur dhe për të thelluar më shumë zhvatjen e shqiptarëve”, tha ai.
LEXONI EDHE: Kush është drejtori i ri i IKMT- së Shkodër, me 25 prill ishte më i votuari në listën e PSD- së pas Tom Doshit…
Për të, qytetarët janë të ndërgjegjshëm se Edi Rama dhe Tom Doshi janë një, si dhe Partia Socialdemokrate është vetëm një zgjatim i Edi Ramës për të mbajtur të paprekur aleancën me Tom Doshin, si dhe kopertura e paktit kriminal Rama-Doshi për masakrën zgjedhore të 25 Prillit.
“Emërimi i njerezve të Tom Doshit në qeverisjen e vendit është një nga treguesit se nën drejtimin e Edi Ramës, interesat e shqiptarëve mbeten të pambrojtura”, u shpreh Alibeaj.