Një ditë më parë në mediat lokale të Shkodrës, konkretisht në televizionin “TV1 Channel”, duke shfrytëzuar ndjeshmërinë, është transmetuar një kronikë dezinformuese për përgjegjësinë që ka Bashkia Shkodër për kanalet e para vaditëse dhe kulluese në fshatin Mali Hebaj në Njësinë Administrative Bërdicë.
Një problematikë e mbartur në vite, që është edhe një nga shqetësimet që ky komunitet ka dhe kërkesat e tyre nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Askush nga kjo media, nuk i është drejtuar Bashkisë Shkodër për t’u njohur me situatën dhe të vërtetën, megjithatë në shërbim të së drejtës së informimit të opinionit publik, Administratori i Njësisë Administrative Bërdicë, Xhavit Pëllumbi, në një intervistë sqaron të gjithë situatën në lidhje me këtë kanal në fshatin Mali Hebaj në këtë njësi administrative.
Ky kanal, nuk është në përgjegjësi e Bashkisë Shkodër, ndërkohë që sot në inspektimin e bërë nga specialistët e Bordit të Kullimit, janë evidentuar një sërë problematikash të krijuara në vite nga banorët, të cilat nuk janë pasqyruar në kronikën e transmetuar në media, por që janë një e vertetë e 30 viteve për të cilat askush deri më sot nuk ka mbajtur përgjegjësi, ndërkohë që sot po i faturohen Bashkisë Shkodër.
Sigurojmë banorët e Bashkisë Shkodër, se angazhimi i të gjithë punonjësve është maksimal, ndërkohë që për mediat dera e Bashkisë Shkodër është e hapur për informacionin që i nevojitet në shërbim të transparencës dhe të së vërtetës.