Me vendim të qeverisë shqiptare, 4 artistë të mirënjohur, “Mjeshtra të Mëdhenj”, kanë përfituar pension të posaçëm. Aktorët dhe humoristët Besnik Çinari, Zyliha Miloti, Drande Xhaj dhe këngëtarja Mukades Çanga, janë përfitues të këtij bonusi financiar të rëndësishëm që jep qeveria për kontribute të spikatura gjatë karrierës.
Pas zyrtarizimit të këtij vendimi të qeverisë, në një video të shpërndarë për mediat, shihet 4 artistët e njohur bashkë me ish- ministren Edona Bilali, aktualisht deputete e Qarkut Shkodër, duke drekuar në një nga lokalet në zonën e Liqenit të Shkodrës, të ftuar pikërisht nga ajo.
Njëri pas tjetrit, artistët falenderojnë Bilalin, e cila sipas tyre, ka këmbëngulur që ata të marrin pensionin e posaçëm, “për të jetuar me dinjitet”, siç shprehen ata vetë. Nga ana e saj, Bilali ka thënë se është një vlerësim i merituar, për atë që i kanë dhënë artit e Shkodrës edhe në momente të vështira.
Akordimi i pensioneve të posaçme, ka një procedurë të caktuar, e cila kalon në disa hallka që nisin nga niveli lokal deri në miratimin përfundimtar të qeverisë me vendimin e saj. Sigurisht, është një mbështetje financiare e merituar për këta artistë por nga ana tjetër, duhet të ndërtohet një sistem efikas për të vlerësuar kontirbutet e individëve, pa patur nevojë për këmbëngulje, mbështetje apo sugjerim të asnjë ministri, deputeti apo politikani, të çfarëdo niveli apo çfarëdo ngjyre qoftë.