Një viktimë dhe tre të plagosur mbetën nga atentati i mbrëmjes e sotme në Lushnje. Viktima është pronari i lokalit, Bledar Muça ndërsa të plagosur mbetën shtetasit Judin Velo, Ervis Tafa, Sara Liçi. Në momentin e të shtënave në lokal ka pasur shumë njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët janë shtrirë përtokë për t’u shpëtuar plumbave.
Nga videot e siguruara, në ambientet e jashtme të një lokali në pedonalen e qytetit, dallohet se ka të plagosur që kanë pasur gjakrrjedhje. Gjithçka ka ndodhur pas një konflikti fizik mes disa personave, ku më pas është përdorur edhe armë. Mësohet se një prej të plagosurve ka ndërruar jetë në spital.
Deri më tani nuk dihet nëse viktima ka qenë i ulur me personat e plagosur. Po ashtu mësohet se atentatorët kanë hapur zjarr nga një makinë që ka qenë në lëvizje, duke qëlluar me breshëri automatiku drejt lokalit, që ka qenë i populluar.
Njoftimi paraprak i Policisë së Lushnjes:
Rreth orës 22:00, në një lokal në pedonalen e qytetit, është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka ndërruar jetë shtetasi B. M. dhe kanë mbetur të plagosur shtetasit J. V., 32 vjeç, E. T. dhe S. L., 24 vjeçe, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.