Ish- presidenti i Vllaznisë Valter Fushaj ka dalë para mediave për të folur lidhur me procesin tashmë të nisur, të shitjes së aksioneve të Shoqërisë Aksionare KF Vllaznia sh.a. Në fjalën e tij, Fushaj ka kërkuar që të mos veprohet me shpejtësi për shitjen e aksioneve, duke shtuar se duhet pritur dalja e një ligji për prvatizimin.
Nga ana tjetër, Fushaj ka kërkuar që organet kompetente të njohin kontributet e tij financiare tek Vllaznia si ish- president, ashtu edhe financuesve të tjerë në vite. Ish- presidenti i kuqebluve është shprehur i gatshëm të blejë aksione, por jo 100% të tyre. Madje, ai ka shtuar se do të ishte mirë të mos i blejë të gjitha aksionet një person i vetëm.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Fushaj ka thënë se Bashkia Shkodër duhej të mbante 20- 25% të aksioneve të Vllaznisë, ndërsa gazetarët i kanë kujtuar se kryebashkiakja Ademi, ka nënvizuar se nuk e lejon ligji. Valter Fushaj ka thënë se është në kontakt me ish- presidentët për privatizimin e Vllaznisë, teksa ka thënë se në rast se ai futet si aksioner tek Vllaznia, ekipi brenda një viti ngrihet në nivelet më të larta.