Kombëtarja U-19 ka mbyllur me fitore ndaj Maqedonisë së Veriut rrugëtimin në kualifikueset e vlefshme për Kampionatin Europian 2022. Kuqezinjtë e Armando Cungut fituan me rezultatin 3-1, me gola të shënuar nga Asan Mata, Paulo Pjeshka dhe Stiven Bibo, në ndeshjen e tretë dhe të fundit të këtij raundi që u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”.
Shqipëria e filloi lojën me këtë formacion: Weiper, Preka, Bytyqi, Dervishi, Pjeshka (Shpendi), Zalli, Alivoda (Çipi), Bibo (Arapi), Hysaj, Mata (Bebeziqi), Toci (C. Shpendi).
Kuqezinjtë e nisi mirë lojën, teksa e panë veten shumë shpejt në avantazh, me Asan Matën që godet saktë një penallti të fituar në minutën e 19-të. Pak para se të mbyllej pjesa e parë, kundërshtarët barazojnë shifrat me Talakov.
Me fillimin e fraksionit të dytë, Pjeshka kalon sërish në epërsi kuqezinjtë në minutën e 48-të, teksa dy minuta më vonë, Stiven Bibo vulos rezultatin në 3-1. Skuadra e drejtuar nga Cungu krijoi edhe disa raste të tjera, por pa mundur të realizojnë.
Kjo ishte ndeshja e tretë dhe e fundit për kuqezinjtë në grupin 7, ku Shqipëria ishte shortuar së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kombëtarja shqiptare arriti të grumbullonte 4 pikë, po aq sa Serbia e vendit të dytë, por për shkak të golavarazhit, kuqezinjtë renditen në vendin e tretë në grup.
Ndeshjet e këtij grupi u zhvilluan të gjitha në vendin tonë, me Federatën e Futbollit që mirëpriti dhe organizoi të gjashta sfidat, duke i konfirmuar edhe njëherë qeverisë së futbollit europian, UEFA-s, seriozitetin dhe sigurinë në menaxhimin e aktiviteteve të tilla të rëndësishme në futboll.