Ndërsa 28 Nëntori ka evidentuar dje bashkimin e të gjithëve pa asnjë lloj dallimi, siç ndodh prej 30 vitesh, 29 Nëntori sjell përçarje në klasën politike por jo vetëm.
Kjo frymë është konstatuar edhe në Shkodër ditën e sotme. Subjekte të majta politike, drejtues vendor të PS- së dhe partive të tjera, drejtues e përfaqësues të veteranëve të LANÇ- it, kanë bërë homazhe e kanë vendosur kurore me lule në Varrezat e Dëshmorëve.
Komunistët kanë “sfiduar” sot edhe në Shkodër. Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Gjon Bruçi, ka vendosur yllin e kuq komunist në shtatoren e partizanit në hyrje të varrezave. Më pas, ai dhe të tjerët, kanë nderuar me grush, një formë që përdorej deri në vitin 1990.
Subjektet e djathta, nuk e njohin e nuk e festojnë 29 Nëntorin si ditë të çlirimit të vendit në L2B. Ato me 28 Nëntor festojnë Festën e Pavarësisë dhe të Çlirimit të vendit në L2B.
Pavarësisht kësaj, 29 Nëntori këto 30 vite është përcaktuar si festë dhe ditë pushimi. Sigurisht, kjo e fundit shfrytëzohet si e tillë nga të gjithë, ata që e festojnë dhe ata që nuk e festojnë 29 Nëntorin. /ShkodraWeb/