Nisma e veçantë e përbashkët e Vlashent Sata, Bashkisë Shkodër dhe Teatrit “Migjeni”, në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ishte aktiviteti i organizuar mbrëmë në Shkodër.
“Koncert në Shkodrën e zemrës sime” ka qenë një sukses jo vetëm artistik por edhe humanitar. Salla e Teatrit “Migjeni” është mbushur nga artëdashësit, por që këtë herë, patën mundësinë të japin edhe një kontribut për bashkëkombësit tonë.
Në skenën e tempullit të artit shkodran e shqiptar, përformuan Vlashent Sata, Gent Rushi, Ermal Rodi, Emiljan Dhimo dhe Roni Gjura, ndërsa aktiviteti u mbështet edhe nga ProRent Audio. Gjatë gjithë koncertit, të pranishmit kanë shoqëruar interpretimet e artistëve me duartrokitje.
Koncerti është regjistruar i plotë nga TV Rozafa dhe do të transmetohet në netët e ndërrimit të viteve për kënaqësinë e të gjithë teleshikuesve.