Ndërsa mbrëmjet festive të këtij dhjetori pasojnë njëra- tjetrën, e enjtja ka shënuar një rekord, të paktën për përfshirjen në festë të shkodranëve. Koncerti i Mc Kresha & Lyrical Son kanë nxjerrë në shesh një numër rekord pjesëmarrësish.
Skena ishte vendosur në hyrje të pedonales “28 Nëntori”, nga drejtimi i Parrucës ndërsa rruga ishte tejmbushur nga pjesëmarrësit në koncert deri tek ndërtesa e Prefekturës së Shkodrës.
Para koncertit, kryebashkiaku Benet Beci ka pritur në zyrë artistët dhe më pas, i ka shoqëruar deri sa kanë hipur në tribunë për ti dhënë jetë koncertit më të suksesshëm deri tani, të paktën nga pjesëmarrja.
“Askund si në Shkodër! Si asnjëherë tjetër Shkodra. Mc Kresha & Lyrical Son atmosferë fantastike në Shkodër! Gzo n’ Shkodër”, shkruan Benet Beci në rrjetet sociale, duke e shoqëruar edhe me një video, tek e cila shfaqet duke shijuar muzikën bashkë me qytetarët në shesh.