Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur edhe dronë, si dhe kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Gimaj”,
Si rezultat i të cilit, në vendin e quajtur “Pylli i Staneve të Gakut”, në fshatin Gimaj, në një ambient të hapur, në terren të pyllëzuar, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në vijim të kontollit të territorit, në afërsi të këtij ambientit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-E. D., 25 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër dhe M. N., 23 vjeç, banues në lagjen “3 Heronjtë”, Shkodër.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit nga ana e shërbimeve të Policisë, u bë e mundur edhe gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i një arme zjarri automatik dhe municioni luftarak, në një ambient në afërsi të sipërfaqes së mbjellë me bimë narkotike.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe identifikimin e kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe i municionit”.