Në vijim të operacioneve policore, me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë siguruar informacion se një shtetas po transportonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike cannabis sativa.
Informacioni është administruar menjëherë nga shërbimet e Policisë dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Delivery”, në aksin rrugor “Shkodër-Prekal”, në fshatin Ura e shtrenjtë, është ndaluar për kontrolle automjeti me drejtues shtetasin Ndoj Marku.
Gjatë kontrolleve, në bagazhin e këtij automjeti u gjetën 2 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 35 kilogramë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin Ndoj Marku, 30 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në të.