Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi, ka marrë sot vendimin për zëvendësimin e Tom Doshit, i dorëhequr si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Teksa i dyti në listën e PSD- së për vitin 2017 Gledis Çeliku, refuzoi të dorëzojë formularin e deklriminalizimit në KQZ, i treti i renditur në listën e Qarkut të Shkodrës, ka pranuar të marrë mandatin. Është një emër mjaft i njohur në Shkodër dhe pikërisht Jetmira Rraboshta.
Aktualisht, Rraboshta është antare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës si përfaqësuese e PSD- së, pozicion nga i cili do të duhet të paraqesë dorëheqjen. Rraboshta është e vitlindjes 1971, lindur në Boriç të Madh në Malësi të Madhe dhe banuese në Barbullush të Vau Dejësit. Ajo është e diplomuar si Zzoveterinare e Lartë, teksa ka rezultuar e suksesshme në administrimin e bisnesit privat, bashkë me bashkëshortin e saj Përparim Rraboshta.
Përparim Rraboshta mund të konsiderohet si lideri historik i socialdemokratëve në Qarkun e Shkodrës, parti për të cilën edhe ka kandiduar si deputetë por pa mundur të zgjidhet. Ai është një nga bisnesmenët më të suksesshëm në Shkodër, tashmë prej më pak se një viti, edhe në fushën e futbollit. Pas “Gardenland Resort”, një kompleks turistik shumë i veçantë në zonën e Barbullushit, Rraboshta i ka dhënë jetë edhe Klubit të Futbollit Murlani.
Jetmira Rraboshta do të plotësojë mandatin e lënë bosh pas dorëheqjes së Tom Doshit, mandat i cili zyrtarisht përfundon në ditët e para të shtatorit. ShkodraWeb i uron punë të mbarë e suksese në detyrën e saj të re. /ShkodraWeb/