Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci dhe Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, kanë nënshkruar marrëveshjen për implementimin e Kartës së Studentit, një nismë që prek dhe lehtëson jetën akademike dhe sociale të studentëve në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, vlerësoi këtë inisiativë të parë për të rinjtë në Shkodër ndërkohë që dha edhe lajmin për lançimin e startupeve për të rinjtë me një fond prej 4 milion lekësh të reja.
Nga ana tjetër për Ministren Manastirliu, kjo marrëveshje është një mundësi për lehtësimin dhe mbështetjen e studentëve në Shkodër.
Falë kësaj marrëveshjeje, studentët do të kenë akses në shërbime të ndryshme me çmime të reduktuara, duke përfshirë fushat e artit dhe kulturës, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, arsimit, sportit dhe rinisë, transportit, turizmit dhe mjedisit.