Pasi kryeministri Edi Rama mbylli turin e takimeve të tij në Bashkinë e Shkodrës, ka dalë para mediave për të komentuar këtë vizitë, ish- kryetari i Bashkisë së Shkodrës Bardh Spahia.
Ai ka dhënë një deklaratë për mediat pikërisht para teatrit “Migjeni”, aty ku kryeministri zhvilloi një takim të zgjeruar me Asamblenë lokale të PS- së por edhe me pjesëmarrës të tjerë.
Spahia e ka konsideruar vizitën e Ramës në Shkodër si “kthim në vendin e krimit”. Para mediave ish- kryebashkiaku ka folur përsëri për manipulim të zgjedhjeve të 14 majit, presione të ndryshme, përfshirje të bandave, për operacionin “Metamorfoza”, shpopullimin, persekutimin etj.
Edhe për projektet e prezantuara për Shkodrën nga kryeministri Rama, Spahia ka thënë se ajo janë iniciuar e përmirësuar, madje negociuar për financim nga Bashkia e Shkodrës e drejtuar nga PD.
Nga Shkodra ish- kryebashkiaku Spahia, ka bërë thirrje për revoltë, mosbindje civiel, duke iu referuar edhe qëndimeve të deputetëve të PD- së në Kuvend javët e fundit.
Bardh Spahia ishte kryetar i Bashkisë Shkodër nga 31 mars 2022 kur pasoi në detyrë Voltana Ademin deri me 19 qershor 2023, kur u pasua në këtë pozicion nga Benet Beci, aktualisht kryebashkiak i Shkodrës. Në daljen e tij para mediave, Spahia shoqërohej nga kryetari i PD- së së Rithemelimit Shkodër Gjenarin Kapcari dhe këshilltarë bashkiakë të “BF”.