Nisur nga gjendja e krijuar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, mbështetur në statusin e personelit akademik, që garanton shprehjen e mendimit të lirë edhe kundër qëndrimeve zyrtare, si përfaqësues të zgjedhur nga Asambleja Universitare, jemi këtu për të shprehur qëndrimin tonë lidhur me tri çështje të rëndësishme për autonominë e universiteteve publike dhe mbrojtjen e vlerave të demokracisë:
Së pari: Për rikthikimin e të drejtës së pranimeve e reja në universitete, në ciklin Bachelor dhe Master, si pjesë e autonomisë së universiteteve publike. Këtë kërkesë Asambleja Universitare, përmes vendimit të saj unanim, ia ka bërë me dije Ministrisë së Arsimit në javën e parë të muajit mars 2020. Përgjigjja që ka kthyer Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Ministrie është e paargumentuar dhe nuk e zgjidh problemin. Ministria e Arsimit të rishqyrtojë, në kuadrin e gjendjes së krijuar dhe asaj që do të pasojë për shkak të pandemisë, e cila do të ketë ndikime negative edhe në gjendjen ekonomike dhe rrethanat e tjera të jetës së studentëve të ardhshëm dhe familjeve të tyre. Me përfundimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, këtë të drejtë Asambleja universitare do ta kërkojë me të gjitha mjetet demokratike.
Së dyti: Anulimin e Urdhrit nr.104, dt.30.04.2020, të Ministrisë së Arsimit për “Marrjen e masave për mbylljen e vitit akademik 2019-2020…” që parashikon kthimin e studentëve dhe pedagogëve në salla, si një rrezik për shëndetin dhe jetën e tyre, por edhe për qytetin e Shkodrës. Urdhri i Ministrisë bie ndesh me vendimet e Senatit Akademik dhe të Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, të marra për të ligjëruar procesin e mësimit online gjatë kësaj periudhe. Ky urdhër e ka bërë më të paqartë situatën në universitetet publike. Ai cënon strukturën e vitit akademik, që përcaktohet duke u mbështetur në Rregulloren e Studimeve dhe Statutin e Universitetit të Shkodrës. Ministria tejkalon kompetencat e saj të sanksionuara me ligj si organ epror, duke ndërhyrë në kompetencat e IAL, në mënyrë të tepruar dhe diktuese.
Të mos preket struktura e vitit akademik 2019-2020. I gjithë procesi të mbyllet online pa praninë fizike të studentëve e pedagogëve në salla. Në rast të kundërt do t’i drejtohemi gjykatës, mbështetur në ligjin për fatkeqësinë natyrore që ndalon grumbullime në ambiente të mbyllura.
Së treti: Në gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në të cilën vijojmë të jemi deri në datën 23 qershor, nuk mund të bëhen zgjedhje, aq më tepër pa praninë fizike të pedagogëve dhe studentëve. Konsiderojmë se data e zgjedhjeve 12 qershori, e caktuar para fillimit të pandemisë, duhet shtyrë për një datë tjetër, kur të krijohet mundësia e realizimit të fushatës zgjedhore dhe kur të jenë të pranishëm fizikisht për të shprehur vullnetin e tyre, si pedagogët ashtu edhe studentët. Zgjedhjet ndryshe nuk do t’i njohim.
Ministria e Arsimit dhe drejtuesit e universitetit të jenë transparentë, në konsultim me studentët dhe Asamblenë Universitare, për të gjitha vendimet që merren. Vendimet duhet të respektojnë autonominë universitare, vendimet e Senatit Akademik, Fakulteteve, Departamenteve, Rregulloren e Studimeve dhe Statutin e Universitetit tonë. Ju kërkojmë universiteteve publike të na mbështesin në kërkesat tona, në mbrojtjen e autonomisë universitare, programeve tona të studimeve, studentëve dhe pedagogëve tanë.
Përfaqësia e Asamblesë Universitare
Prof.as.dr. Arben Prendi Fakulteti i Shkencave Shoqërore
Prof.as. dr. Violeta Alushi Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Dr. Senada Reçi Fakulteti i Drejtësisë
Dr. Phd. Arben Bushgjoka Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Dr. Peter Saraçi Fakulteti Ekonomik
Dr. Artan Kalaja Fakulteti i Shkencave të Edukimit