Ish-kryeministri Sali Berisha, pas rizgjedhjes së tij në krye të Partisë Demokratike, nuk ka harruar të përshëndesë kundërshtarin e tij në këtë garë, Ibsen Elezit.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të procesit, Berisha thotë se Elezi zhvilloi një garë të qytetëruar si një demokrat i vërtetë. Ndër të tjera, Berisha ka risjellë në vëmendje një deklaratë të bërë 1 vit më parë për gazetarët të cilët e pyetën nëse mund të rikthehet në krye të PD-së.
Berisha u shpreh asokohe “kurrë mos thuaj kurrë”, të cilën e riktheu edhe njëherë në vëmendje mbrëmjen e sotme.
“Në mënyrë të veçantë, mirënjohja ime shkon tek të rinjtë shqiptarë. Ishin ata promotorët kryesorë të kësaj lëvizje, ndaj dhe betimi im para tyre dhe mbarë shqiptarëve, do bëj gjithçka që ëndërrat e trye më të bukura të bëhen realitet në këtë vend. Ai që realizon ëndrrat e tij, ai është pafundësisht i detyruar të bëjë gjithçka për të realizuar ëndrrat e të tjerëve.
Më 13 qershor një vit më parë, diku aty në qoshe, gazetarët pasi votova më pyetën: Çfarë mendon për rikthimin tënd dhe a parashikon Berisha ndonjëherë të rikthehet në krye të PD-së? Përgjigja ime ishte kjo, “Never say never”. Ndaj dhe unë, do t’i them sonte çdo të riu shqiptar, çdo demokrati shqiptar, never say never.
Ne do fitojmë. Faleminderit shumë komisionerëve, komisionit zgjedhor, kryetarëve të degëve, Komisionit të Rithemelimit të PD-së. Përshëndetje të veçantë për Ibsen Elezit, i cili si demokrat i vërtetë, zhvilloi një garë të qytetëruar” – tha Berisha.
Sali Berisha fitoi garën për kryetar të Partisë Demokratike me një shumicë votash prej 40.820 që përbëjnë 93.45%. Ibsen Elezi mori vetëm 2.532 ose e përkthyer në 5.8% të votave ndërsa pjesa tjetër prej 328 votash ishin të pavlefshme.