Në Njësinë Administrative të Shllakut, pjesë e Bashkisë Vau- Dejës, është organizuar këtë fundjavë “Festa e Geshtenjës”. Është vetëm fillimi i një tradite, e cila sipas organizatorit të eventit Mark Gjeka, shpresohet të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim.
Eventi është mbështetur nga bisnesmenë të ndryshëm, me origjinë nga zona e Shllakut, por edhe nga qeverisja vendore. Në Shna Prende të Ukbibajve, janë mbledhur rreth 150 persona, të favorizuar edhe nga moti i mirë.
Në hapje të eventit, ka përshëndetur organizatori Mark Gjeka, kryetari i Bashkisë Vau- Dejës Mark Babani dhe të tjerë të pranishëm. Muzika tradicionale e zonës, ka shoqëruar festen, teksa në gjirin e natyrës, të pranishmit kanë shijuar produktet dhe gatimet tradicionale të zonës, sigurisht edhe gështenjat.
Kjo festë ka marrë emrin e gështenjës, duke qenë një frut tradicional i zonës, ku janë rreth 400 hektarë pyje me këtë lloj peme. Përveç promovimit turistik të zonës, eventi “Festa e Geshtenjës” synon edhe vënien në eficencë e shfrytëzim të një pasurie, siç është gështenja. Jo vetëm për vetitë e larta ushqyese dhe dobisjellëse për organizimin e njeriut, por edhe si një mundësi për të krijuar të ardhura përmes tregtimit.