Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci: Kryetari i Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu dhe një ekip drejtuesish nga kjo komunë, ishin sot në Shkodër, në një vizitë kortezie, por edhe punësh konkrete.
Në nisje pata kënaqësinë të shpreh mirënjohjen e veçantë për Gencin dhe komunën që ai drejton tashmë, të cilët na u gjendën pranë me shumë gadishmëri e profesionalizëm në procesin e menaxhimit dhe shuarjes së zjarrit të rënë në 14 qershor të këtijj viti në tregun e Perashit.
Gjatë thuajse dhjetë viteve të fundit, në funksione të tjera, me Gencin kemi patur mundësinë të bashkëpunojmë e të çojmë përpara ide, që sot po konkretizohen.
Kjo është një arsye më shumë për të qenë optimist për takimin e parë të sekretariatit koordinues të bashkëpunimit mes dy njësive tona drejtuese.
Gjatë këtij takimi me stafin drejtues e specialistët e pranishëm ramë dakort për *Bashkëpunim të ngushtë dhe të ndërsjelltë ekonomik mes Shkodrës dhe Ulqinit, me koordinimin dhe shkëmbimin e eksperiencave të bizneseve.
• Krijimin e mundësive reale për kthimin e Bunës të lundrueshme dhe shfrytëzimin e mundësive dhe burimeve të Liqenit të Shkodrës si motor ekonomik për dy vendet.
• Bashkëpunimi në kulturë, arsim, projekte ndërkombëtare, shërbime të përbashkëta dhe përgjigje ndaj emergjencave.
• Dakortësuam të lobojmë në dy qeveritë tona, atë të Shqipërisë dhe Malit të Zi në heqjen e pagesës së siguracionit 15 euro që shtetetasit shqiptar paguajnë në pikat e kalimit kufitar që lidh Shqipërinë me Malin e Zi.
Takimin e sotëm, që shpreh bindjen se do ta pasojmë me punë konkrete, e përmbyllëm në Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, mes historisë dhe fotografive që nxjerrin në pah lidhjen e kahershme që kanë Shkodra dhe Ulqini.