Ekipi i Vllaznisë në futboll për femra, ka arritur një rezultat fantastik, më të lartin në sportet shqiptare ekipore: Pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, faza e grupeve.
Ndërsa, ditën e djeshme, vajzat kuqeblu kanë njohur rivalët përballë në grupin a të Ligës së Kampioneve. Real Madrit, PSG dhe Chelsea, do të jenë mysafirë në Shkodër, duke kthyer vëmendjen e opinionit europian futbolldashës nga vendi ynë.
Ditën e sotme, vajzat kuqeblu por edhe stafi drejtues dhe teknik, janë pritur në Bashkinë e Shkodrës nga kryebashkiaku Bardh Spahia. Ka qenë një takim i ngrohtë, me bashkëbisedim të hapur.
Spahia ka uruar vajzat për paraqitjet fantastike edhe në nivel europian, teksa ka dëshiruar suksese edhe në aventurën europiane, pavarësisht emrave të mëdhenj përballë.
Me 20 tetor Vllaznia pret ekipin e Real Madrid. Ajo që pritet të shihet është se ku do të zhvillohen ndeshjet. Ekipi dhe tifozët sigurisht preferojnë “Loro Boriçin”, edhe pse po diskutohet shumë edhe stadiumi “Air Albania” si arenë e mundshme e Ligës së Kampioneve për femrat. /ShkodraWeb/