Gjatë takimit me demokratët e Shkodrës kreu i PD Lulzim Basha zbuloi se si një ambasadore perëndimore u largua dhe mbylli mbledhjen, e detyruar nga deputeti Tom Doshi dhe ata që kryedemokrati i cilëson si banditët e tij. Basha nuk zbulon emrin e ambasadores, por the në sy të saj u grabit një i ri shkodran që pati guximin të thoshte këtu po blen vota Tom Doshi.
“E kështu pra, fatkeqësisht, Shkodra e njerëzve me shpirt fisnik nuk përmendet për gjigandët e kulturës që e ndritën imazhin e kombit, por përmendet për Tom Doshin që është bërë i famshëm përtej Atlantikut për aferat e tij kriminale dhe korruptive si një nga kokat e gjarprit që ka shtrënguar dhe po asfikson Shqipërinë në morsën e krimit dhe të korrupsionit.
Dhe në fakt e pamendueshmja ndodhi këtu në Shkodër, ku për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyll mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi”, tha Basha.
Kreu i selisë blu theksoi se Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe është në dorën e demokratëve për ta nxjerrë nga ky udhëkryq.
“Tani Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe është në dorën tonë dhe të askujt tjetër për të nxjerrë nga ky udhëkryq. Askush tjetër nuk ka forcën, pastërtinë, bashkimin për ta nxjerrë nga ky udhëkryq. Ndaj, sot kam ardhur t’ju për të vazhduar dhe për ta çuar së bashku deri në fitore betejën që kemi nisur.
Nëse jemi të vetëdijshëm për arritjet e kësaj beteje e cila ngriti peshë zemrat e shqiptarëve për ndryshim, nëse jemi të bashkuar, nëse jemi të gatshëm të pranojmë dhe të ndreqim ato që janë në dorën tonë të ndreqim, atëherë i kemi të gjitha mjetet për ta mbajtur të ndezur shpresën dhe pasionin për ndryshim të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe të shkodranëve, i kemi të gjitha mjetet për ta flakur me çdo mjet një orë e më parë këtë pakicë plaçkitëse”, tha ai.