“Albanian Sounds” ishte aktiviteti i radhës i Shoqatës Kulturore “Rrok Jakaj”, e cila për herë të parë zgjodhi si destinacion pikën turistike të Vermoshit në Malësi të Madhe.
Gjatë 2 netëve u zhvilluan 2 koncerte nga studentët e Rrok Academy, të degëve Jazz dhe Klasike, shkolla verore e cila zhvillohet prej 5 vitesh tashmë në Shkodër gjatë gjithë muajit gusht, me pjesëmarrjen e studentëve nga Ballkani dhe Europa.
Koncerti i datës 23 gusht u hap nga lahutari Pretash Nilaj, si mikpritje e traditave të zonës për të vazhduar me pas me koncertin e klasës jazz, të drejtuar nga Markelian Kapidani dhe të ftuar special Sokol Prekalori në violinë dhe Bardh Jakova në fizarmonikë.
Koncerti i datës 24 gusht i drejtuar nga Paçalin Pavaci solli në skenë klasën e Rrok Academy Classic dhe e ftuar e kësaj nate ishte sopranoja Klodiana Brahimi.
Të dy koncertet u paraprinë nga refleksionet e studiuesit Ardian Ndreca mbi temat “Nga Eposi tek Erosi, si të afirmohemi në shoqni” dhe “Hapsina urbane: jemi ajo çka kemi ndërtue ne vetë”.