Policia e Tiranës ka dhënë informacione të tjera për atentatin me dy viktima në zonën e Astirit, ku humbën jetën Erigers Mihasi 32 vjeç dhe Armando Dumani 26 vjeç.
Autorët dyshohet se kanë përdorur një automjet tip ‘Toyota’ në ngjarje me të cilën janë larguar pas ngjarjes në drejtim të ish-sheshit “Shqiponja”. Më shumë se një orë pas ngjarjes u gjet një automjet i djegur në Thumanë. Makina tip ‘Toyota’ AA 532 ON rezulton me targa të vjedhura në Tiranë. Brenda saj u gjetën dy kallashnikovë.
Njoftimi i policisë
Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur te “2 rrathët” në Unazë të Re, ju bëjmë me dije se :
Grupi hetimor ka bërë identifikimin e dy personave që kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri:
Drejtuesi i mjetit shtetasi E. M., 32 vjeç dhe pasagjeri shtetasi A. D., 26 vjeç.
Ndërkohë në Thumanë është gjetur një automjeti tip “Toyota” duke u djegur dhe dyshohet se është automjeti që kanë përdorur autorët e ngjarjes.
Targat e mjetit të djegur rezultojnë të vjedhura në Tiranë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e ngjarjes si dhe grumbullimin e provave që çojnë në identifikimin e autorëve të ngjarjes.