Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, mbështet protestën e banorëve të Komanit, të licëve iu premtua rruga Qafë Çelë- Koman dhe iu pezullua nga qeveria Rama. Në një dalje për mediat, pavarësisht se nuk ndodhet në territorin e bashkisë së administron, e konsideron shumë të rëndësishme këtë rrugë.
“Mashtrim i madh, edhe elektoral”, shprehet Ademi, duke kujtuar se premtimet për rehabilitimin e rrugës, tenderimi dhe alokimi i fondeve, u bënë nga qeveria dhe KESH në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Impakti i kësaj rruge është shumë i rëndësishëm jo vetëm për banorët por edhe për punëtorët e hidrocentraleve në kaskadën e Drinit, paralelisht edhe për zhvillimin e turizmit në një zonë që ka nevojë të zbulohet.
Kryebashkiakja Ademi mendon se ka nevojë për të verifikuar se çfarë ka ndodhur me këtë rrugë. Madje, ajo sugjeron që KLSH të verifikojë, si një institucion i specializuar.
Projekti i rrugës së Komanit u prezantua nga ish- drejtori i përgjithshëm i KESH Benet Beci, sot deputet i Qarkut Shkodër. Pak ditë më parë, ministrja Balluku bëri me dije se nuk do të ketë punime në këtë aks, madje as në terma afatmesëm, jo vetëm për buxhetin e vitit 2022.